Revista Ora

Te gjitha lajmet nga vendi dhe rajoni.

S’u morën masa kufizuese, rritet frikshëm numri i viktimave dhe rasteve të koronavirusit në Suedi

Numri i viktimave nga koronavirusi në Suedi është rritur në mënyrë të frikshme gjatë ditëve të fundit, duke kaluar shifrën e 1200 vdekjeve në total.

Suedia ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve në raport me shtetet fqinjë të rajonit.

Agjencia e Shëndetit Publik konfirmoi se numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 1203, ku 170 pacientë të prekur ndërruan jetë vetëm gjatë 24 orëve të fundit, që shënon ditën me numrin më të lartë të viktimave nga Covid-19 në shtetin nordik.

Sipas të dhënave zyrtare, Suedia ka regjistruar 118 vdekje për 1 milion banorë nga koronavirusi, shifër kjo e cila është më e lartë se Danimarka e cila e ka raportin e vdekjeve me 55 vdekje për një milion banorë, ndërsa Finlanda 13 viktima për 1 milion banorë.

Finlanda dhe Danimarka vendosën masa kufizuese të ashpra që në ditët e para për të frenuar përhapjen e virusit, ndërkohë që Suedia vetëm pak ditë më parë nisi të merrte masa, pasi numri i vdekjeve dhe infeksioneve po rritej ndjeshëm.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në Suedi, përfshirë viktimat dhe ata që janë shëruar, ka arritur në 11,927.

Një tjetër e dhënë shqetësuese është se mbi 900 pacientë po luftojnë për jetën në terapi intensive, ndërsa vetëm 381 pacientë kanë mundur të shërohen plotësisht.

Autoritetet suedeze vendosën pak ditë më parë mbylljen e shkollave të mesme dhe të larta, si dhe ndaluan grumbullimet e më shumë se 50 njerëzve. Po ashtu njerëzit janë këshilluar dhe jo urdhëruar, të shmangin udhëtimet jo thelbësore, të punojnë nga shtëpia dhe të qëndrojnë brenda në shtëpi nëse janë mbi 70-vjeç, ose ndjehen të sëmurë.

Statistikat tregojnë afërsisht gjysma e fuqisë punëtore suedeze tani po punon nga shtëpia, përdorimi i transportit publik ka rënë me 50% në Stokholm dhe rrugët e kryeqytetit janë rreth 70% më pak të populluara se zakonisht.

Megjithatë, suedezët janë akoma në gjendje të blejnë, të shkojnë në restorante, të presin flokët dhe dërgojnë fëmijë nën 16 vjeç në shkollë edhe nëse një anëtar i familjes është i sëmurë.

Refuzimi i qeverisë për të mbyllur shkollat fillore ka shkaktuar shqetësime të mëdha për disa familje dhe mësues.

Një grup epidemiologësh suedezë i bënë thirrje qeverisë që të ndryshojë strategjinë në luftën kundër koronavirusit.

Ata thanë:

Qasja duhet të ndryshohet rrënjësisht dhe sa më shpejt. Ndërsa virusi përhapet me shpejtësi, është e nevojshme të rritet distanca sociale. Duhet të mbyllen të gjitha shkollat dhe restorantet. Po ashtu të gjithë ata që punojnë me të moshuarin duhet të pajisen me veshje mbrojtëse. Duhet të garantohet e gjithë familja nëse një anëtar është i sëmurë apo testohet pozitivisht. Qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë, nuk ka zgjidhje tjetër.
Burimi: The Guardian|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Leave a Reply