Revista Ora

Te gjitha lajmet nga vendi dhe rajoni.

Shembja e Teatrit Kombëtar, reagon Albin Kurti: Nga kjo humbje do vijë fitorja!

Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë mes dhunës barbare e pabesisë, ka shkaktuar indinjatë dhe reagime të ashpra jo vetëm nga shoqëria civle dhe organizata të ndryshme, por edhe nga zyrtarë të lartë politikë përtej kufijve.

Një prej tyre është edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook ka shprehur mbështjetjen e tij për artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën Teatrin Kombëtar prej një kohë të gjatë.

Lideri i Vetëvendosjes theksoi se arkiva dhe kujtesa e një populli, duhet të mbahen të paprekura nga regjimet.

Më tutje, kryeministri në detyrë i Kosovës shton se kur shembet një monument kulture, nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

Kurti i përfundon postimin me fjalët:

Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë.
Reagimi i plotë:

Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.

Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë.

Leave a Reply