Revista Ora

Te gjitha lajmet nga vendi dhe rajoni.

Blendi Fevziu e bllokon Kurtin, i thotë edhe diktatori Hoxha fliste për marrëveshje sekrete

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste mbrëmë me gazetarin Blendi Fevziu, pretendonte se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuqic, kanë një marrëveshje sekrete. Fevziu e pyeti nëse ka diçka konkrete rreth kësaj të cilës Kurti i referohet, apo është vetëm hipotezë.

“Marrëveshja sekrete është sekrete do të thotë që nuk e kam, por ekziston”, ka pretenduar Kurti.

Ndërsa Fevziu hipotezën e Kurtit e krahasoi me ato të diktatorit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxhës.

“Edhe Enver Hoxha, të gjithë kundërshtarët i bëri me marrëveshje sekrete, me Beogradin me Athinën, por në fund doli që të gjitha ishin vetëm paranoja. Deri tash ka ndonjë marrëveshje konkrete, ndonjë dëshmitar, a i referoni ndonjë fakti konkret?”, pyeti Fevziu.

Kurti tha se këtë e mori vesh nga një bashkëpunëtor i tij i cili ka biseduar me një bashkëpunëtor të Thacit.

“Një bashkëpunëtor i presidentit të Kosovës, ka biseduar me njerëzit më të afërt të mi, dhe pak a shumë këtë që e thash unë, ia ka paraqitur si një gjë shumë të favorshme për Kosovën”, thotë Kurti.

Fevziu pyeti konkretisht si quhej ky bashkëpunëtor.

“Si quhej ky këshilltari i presidentit?”, pyet Fevziu.

Kurti refuzoi të përgjigjet me emra.

“As për bashkëpunëtorin tim as për bashkëpunëtorin e presidentit nuk kam pse ua them emrat, ata kanë pasur një takim gjysëmformal”, përfundon Kurti.

Leave a Reply